Nga Elisabeta Dosku / scan tv
Qe nga viti 2010 dhe në vijim, Shqipëria ka dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë financim i cili ka mbuluar nevojat e ekonomisë në momente të caktuara plot 6 herë. Eurobondi i parë është injektuar në vitin 2010 dhe i takon qeverisë së mëparshme, ndërsa 5 huatë e tjera janë marrë nga qeveria aktuale.
Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria emetoi eurobondin e gjashtë në 13 vite, me një vlerë prej 600 milionë eurosh. Eurobondi i parë i emetuar ka qenë në vitin 2010, me një shumë prej 300 milionë eurosh, kupon 7.5%, yield 7.625% si dhe afat maturimi 5-vjeçar. Borxh ky që tashmë është i mbyllur. Dalja e dytë ka qenë në vitin 2015, me një Eurobond prej 450 milionë eurosh dhe në vitin 2018 është shënuar dalja e tretë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh me një vlerë prej 500 milionë euro.
Në vitin 2020, Ministria e Financave ka emetuar një eurobond prej 650 milionë eurosh dhe një vit më pas, në 2021-shin është emetuar eurobondi i pestë, me kushte dhe vlerë thuajse identike me atë të vitit 2020.
Emetimi i fundit i takon vitit 2023, ku u morën hua 600 milionë euro me kupon 5.9% dhe afat maturimi 5 vjet.
Një pjesë e mirë e eurobondeve janë marrë për të shlyer emetimet e mëparshme dhe pjesa e mbetur ka shkuar për investime apo financime të nevojshme në ekonomi.
Me daljen sërish në tregjet ndërkombëtare në vitin 2025, do të regjistrohet eurobondi i 7 në 15 vite.
Së fundmi, Ministria e Financave ka shpallur fitues propozimin e paraqitur nga kompania Dechert LLP, duke e përzgjedhur atë si konsulentin ligjor që do të sigurojë shërbimin e konsulencës ligjore në emetimin e shtatë të një eurobondi prej 600 milionë euro.