Home EKONOMI SHQIPËRIA RRIT KUOTAT NË FONDIN MONETAR NDËRKOMBËTAR NË 209 MILIONË SDR

SHQIPËRIA RRIT KUOTAT NË FONDIN MONETAR NDËRKOMBËTAR NË 209 MILIONË SDR

0
SHQIPËRIA RRIT KUOTAT NË FONDIN MONETAR NDËRKOMBËTAR NË 209 MILIONË SDR

Nga SCAN TV

Shqipëria do të rrisë kuotën e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kuota aktuale prej 139.3 milionë SDR, sipas propozimit do të rritet në 209 milionë SDR.
SDR (Special Drawing Rights) është një aktiv ndërkombëtar i krijuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të mbështetur stabilitetin financiar dhe likuiditetin global. SDR nuk është një monedhë e mirëfilltë, por një njësi llogarie e cila përdoret nga FMN-ja dhe institucionet ndërkombëtare për të ndihmuar vendet anëtare në transaksionet ndërkombëtare. SDR-ja përbëhet nga një shportë prej pesë monedhave kryesore – dollari amerikan, euroja, jeni japonez, paundi britanik dhe juani kinez.
Nisma për rritjen e kuotave të Shqipërisë në FMN është propozuar në Kuvend nga Këshilli i Ministrave por nuk do të ketë kosto financiare për buxhetin e shtetit pasi Banka e Shqipërisë do të kryejë me fondet e saj pagesat përkatëse.
Projektligji propozohet me procedurë të përshpejtuar, me qëllim realizimin e pagesës nga Banka e Shqipërisë, brenda afatit kohor të përcaktuar, më 15 nëntor 2024.
Rritja e kuotave në Fondin Monetar Ndërkombëtar për një vend i mundëson atij përmirësimin e aksesit në financim, duke shtuar mundësinë e vendit për të marrë hua më të mëdha nga FMN-ja në rast nevoje.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka akorduar dy kredi për mbështetje buxhetore, në vitet 2014 dhe 2020, me shumë totale 434.72 milionë SDR. Të dyja këto kredi janë disbursuar plotësisht (respektivisht në 2014 dhe 2020) dhe janë në fazën e ripagimit, në përputhje me kushtet e marrëveshjeve. Balanca e kredive, (stoku) më 31 korrik 2024 ishte 134.28 milionë SDR.